Zbatimi dhe moszbatimi i ligjeve në Shqipëri

 Një prej probleme kryesore që mban larg investitorët e huaj nga Shqipëria, e veçanërisht ata amerikanë, është moszbatimi i ligjeve.

Sipas raportit vjetor të Departmentit të Shtetit Amerikan, Shqipëria ka ligje, por ato nuk zbatohen ose keqpërdoren si pasojë e korrupsionit.

Investitorët e huaj, pasi informohen për kuadrin ligjor të vendit dhe vijnë të investojnë në Shqipëri, përballen me një panoramë tjetër: këto ligje nuk zbatohen ose zbatohen në mënyrë të pabarabartë dhe të padrejtë, duke dëmtuar klimën e të bërit biznes.

Kështu, DASH shkruan:

Vendi ka kornizë të plotë ligjore për të parandaluar konfliktin e interesit dhe për të luftuar korrupsionin e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë anëtarët e familjes së tyre. Por zbatimi i ligjit rrezikohet nga një sistem gjyqësor thellësisht i korruptuar.

E njëjta gjë vlen për problemet me pronat. Qeveritë shqiptare kanë miratuar vazhdimisht ligje të reja për regjistrimin e pronave, kompensimin apo kthimin e pronave të konfiskuara.

Por pavarësisht ligjeve, DASH shkruan se “identifikimi i pronësisë është një problem i vazhdueshëm në Shqipëri që e bën të vështirë kthimin e pronave të shpronësuara dhe për rrjedhojë, të bërit biznes.

Po ashtu titujt e pronësisë janë të vështirë për t’u arritur. Ka pasur raste të individëve që manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës.

Po ashtu, DASH thekson se investitorët e huaj në Shqipëri kanë të drejtë që të përdorin ‘ndërmjetësimin’ si mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet rreth kontratave me qeverinë shqiptare.

Por investitorët amerikanë të përfshirë në mosmarrëveshje me qeverinë raportuan mungesë dialogu me zyrtarët e qeverisë, të cilët shpesh hezituan për të zgjidhur mosmarrëveshjet me ndërmjetësim.

Kjo më pas i ka detyruar investiotrët që të shkojnë në arbitrazhin ndërkombëtar, çka do të thotë më shumë procedura, kohë dhe kosto për investitorët.

Comments

Popular Posts