Femijet e varfer
Varfëria te fëmijët në Shqipëri
Varfëria rrit pabarazinë dhe përjashtimin social. Varfëria prek edhe personat në moshë madhore edhe fëmijët; sidoqoftë varfëria te fëmijët ka një karakter tjetër dhe shoqërohet me pasoja të ndryshme. Autorë të ndryshëm japin përcaktime të ndryshme për varfërinë. Në kontekstin e këtij vëzhgimi, do të përdoret përkufizimi i vitit 1984 i Këshillit të Evropës: “Të varfër do të quhen ata persona, familje, apo grupe personash burimet materiale, kulturore, dhe sociale të të cilëve janë aq të kufizuara sa nuk i lejojnë ata të bëjnë një jetë në minimumin e pranueshëm në Shtetin Anëtar ku ata jetojnë.”
Strategjia Kombëtare Shqiptare për Fëmijët 2012 – 2015 përmban këtë përkufizim mbi varfërinë: “Varfëria është pamundësia e individëve për të shpenzuar të paktën 5.722 lekë në muaj në vitin 2008 (ose 6.130 lekë në vitin 2011). Megjithëse këto përcaktime përfshijnë aspekte të ndryshme (kushtet e jetesës, burimet financiare, si dhe burimet kulturore dhe sociale), përsëri ato nuk konsiderohen si gjithëpërfshirëse sepse nuk përmbajnë specifikat e varfërisë te fëmijët. Prandaj, është thelbësore që aspektet në vijim të merren parasysh: (i) Fëmija është një individ; (ii) ai/ajo varet nga (familja dhe shoqëria, më konkretisht shkolla, kopshti, ose çdo strukturë arsimore ose përkujdesjeje në komunitet ose në nivel vendor/kombëtar); (iii) ai/ajo është dikush që zhvillohet.
Matja e Standardit të Jetesës, INSTAT (Living Standard measurement Survey, INSTAT, 2008) tregon se varfëria në Shqipëri ka rënë nga 25.4 përqind në 2002 në 12.4 përqind në 2008, por Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet më të varfra në Evropë. I njëjti studim tregon se 1.8 përqind e fëmijëve jetojnë në varfëri ekstreme (më pak se 1 dollar Amerikan/në ditë) ndërsa 17.14 përqind jetojnë në varfëri. 57 përqind e fëmijëve në familje që marrin ndihmë ekonomike nuk janë në gjendje të përmbushin njërën prej pesë nevojave (ushqyerje, përkujdesje shëndetësore, edukim, ujë të pijshëm të pastër, dhe strehim) të cilat konsiderohen si nevoja themelore. Ndihmat në para mbulojnë vetëm 16 përqind të nevojave të familjeve që jetojnë poshtë kufirit të vijës së varfërisë absolute (më pak se 1 dollar amerikan në ditë) dhe vetëm 25 përqind të nevojave të atyre që jetojnë poshtë kufirit të vijës së varfërisë ekstreme.
Në mënyrë që të mblidhet dhe detajohet informacioni mbi mungesat multi-dimensionale të fëmijëve në Shqipëri, Observatori i të Drejtave të Fëmijëve 2009 (www.observator.org.al) përgatiti për herë të parë "Kartën Raportuese mbi Varfërinë e Fëmijëve në Shqipëri". Kjo kartë kontribuon për të zhvilluar statistika mbi indikatorët e përjashtimit social, përfshirë këtu edhe fëmijët, dhe duke pasur parasysh se politikat e përfshirjes sociale kërkojnë vëmendje serioze për të matur nevojat e grupeve më të përjashtuara.
Për më tepër, raporti analizues i varfërisë te fëmijët bazuar në të dhënat/informacionet më të sakta, shërbejnë si një mjet i fortë për politik-bërësit në nivel rajonal dhe kombëtar për të hartuar dhe zbatuar politika efikase që synojnë përfshirjen e fëmijëve. Për këtë synim, UNICEF ka mbështeturobservatorët për të drejtat e fëmijëve për të hartuar të dhëna mbi 54 indikatorët e statistikave zyrtare...dhe t'i prezantonin ato në një format që është lehtësisht i aksesueshëm nga vendim-marrësit.
Raporti mbi varfërinë e fëmijëve në Shqipëri kontribuon duke ofruar informacion të përditësuar në nivel vendor, rajonal dhe kombëtar mbi indikatorë kyç të varfërisë te fëmijët të cilët shërbejnë për të vlerësuar shtrirjen e mundësisë së varfërisë te fëmijët në çdo rajon të Shqipërisë si dhe të ndihmojë politik-bërësit të planifikojnë shpërndarjen e shpenzimeve publike dhe t’u japin prioritet atyre politikave që promovojnë të drejtat e fëmijëve. Zbatimi i politikave përfshirëse për fëmijët kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve për të shndërruar problematikat e fëmijëve në një çështje për të gjithë shoqërinë.
Comments
Post a Comment