DETYRIME TË PËRGJITHSHME TË PUNËDHËNËSIT

 

LINDJA E MARRËDHËNIEVE TË PUNËS (PUNËSIMI)

Punëdhënësi punëson në mënyrë të drejtpërdrejtë punëmarrësin.

Punëdhënësi, për të punësuar punëmarrësin, mund të përdorë shërbimet e zyrave shtetërore të punësimit ose të agjencive private të punësimit.

Veprimtaria private e ndërmjetësimit në punë për qëllime fitimi i nënshtrohet të njëjtave rregulla që përcakton Këshilli i Ministrave për ushtrimin e veprimtarisë shtetërore të ndërmjetësimit në punë.

FORMA E KONTRATËS SË PUNËS

1. Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar. Ajo mund të ndryshohet me shkrim, nëse palët bien dakord për ta bërë këtë.

2. Kontrata e punës quhet e lidhur kur punëmarrësi pranon kryerjen e një pune ose shërbimi, për një periudhë kohe të caktuar ose të pacaktuar, brenda kuadrit të organizimit dhe sipas urdhrave të punëdhënësit dhe që, në bazë të këtyre rrethanave, kryhet vetëm kundrejt pagesës.

3. Kontrata e punës duhet të përmbajë sidomos:

a) identitetin e palëve;

b) vendin e punës;

c) përshkrimin e përgjithshëm të punës;

ç) datën e fillimit të punës;

d) kohëzgjatjen, kur palët lidhin kontratë me afat të caktuar;

dh) kohëzgjatjen e pushimeve të paguara;

e) afatin e njoftimit për zgjidhjen e kontratës;

ë) elementet përbërëse të pagës dhe datën e dhënies së saj;

f) kohën normale javore të punës;

g) referenca në kontratën kolektive në fuqi;

gj) periudhën e provës;

h) llojet dhe procedurat e masave disiplinore, nëse nuk ka kontratë kolektive;

4. Për raste të veçanta dhe të justifikueshme, nëse kontrata nuk është lidhur sipas pikave 1 dhe 3, të këtij neni, punëdhënësi është i detyruar ta lidhë atë brenda 7 ditëve nga dita e punësimit.

5. Kur punëmarrësit i kërkohet të punojë jashtë Republikës së Shqipërisë, për një periudhë më shumë se një muaj, punëdhënësi, pasi merr edhe pëlqimin e punëmarrësit, duhet t’i japë atij një dokument me shkrim, i cili duhet të përmbajë minimalisht informacionin e kërkuar në pikën 3, të këtij neni, si dhe informacionin plotësues, si më poshtë:

a) kohëzgjatjen e punësimit jashtë shtetit;

b) llojin e monedhës në të cilën do të paguhet;

c) nëse është e nevojshme, përfitimet në para ose në natyrë për punësimin jashtë shtetit;

ç) nëse është e nevojshme, kushtet që rregullojnë rikthimin e punëmarrësit.

6. Informacioni mbi elementet e përcaktuara në shkronjat “dh”, “e”, “ë”, “f” dhe “gj”, të pikës 3, të këtij neni, në rast nevoje, jepen me anë të referencave ndaj dispozitave të këtij Kodi, vendimeve të Këshillit të Ministrave ose të një kontrate kolektive.

KOHËZGJATJA E PUNËS DHE PUSHIMI DITOR

1) Kohëzgjatja ditore normale e punës është jo më shumë se 8 orë. Ajo përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në kontratën kolektive, ose në kontratën individuale të punës, brenda limiteve të kohës javore maksimale të punës.

2) Për punëmarrësit nën 18 vjeç kohëzgjatja ditore e punës është jo më shumë se 6 orë në ditë.

3) Pushimi ditor është të paktën 11 orë pa ndërprerje brenda ditës ose në rast nevoje për dy ditë rresht.

PUNA E NATËS

1) Me punë nate kuptohet puna e kryer nga ora 22:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.

2) Kohëzgjatja e punës së natës dhe e punës së kryer një ditë para ose pas saj nuk duhet të jetë më shumë se tetë orë pa ndërprerje. Ato duhet të paraprihen ose pasohen me pushim ditor të menjëhershëm.

SHTESA MBI PAGË

1) Çdo orë pune e kryer nga ora 1900 deri në 22:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 20 për qind.

2) Çdo orë pune e kryer midis intervalit 22:00 dhe 06:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 50 për qind.

PUNA NË DITËN E DIEL OSE NE DITËT E FESTAVE ZYRTARE

Puna e kryer ditën e pushimit javor ose në ditët e festave zyrtare kompensohet me një shtesë page jo më pak se 25 për qind ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer plus një pushim shtesë jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune, që merret një javë para ose pas kryerjes së saj.

ORËT SHTESË PËRKUFIZIM

1) Me orë shtesë kuptohet çdo orë pune e kryer mbi kohëzgjatjen ditore normale ose javore maksimale të punës.

2) Quhet orë shtesë çdo orë pune e kryer mbi orarin normal të punëmarrësit që punon me kohë të pjesshme.

PUSHIMET VJETORE KOHËZGJATJA

1) Kohëzgjatja e pushimeve vjetore të paguara përcaktohen me kontratën kolektive ose me kontratën individuale të punës.

2) Kohëzgjatja e pushimeve vjetore është jo më pak se 4 javë kalendarike gjatë vitit të punës në vazhdim.

3) Kur punëmarrësi nuk ka kryer një vit pune të plotë, kohëzgjatja e pushimeve vjetore të paguara përcaktohet në raport me kohëzgjatjen e marrëdhënieve të punës. Periudhat e paaftësisë së përkohshme në punë, konsiderohen si kohë pune.

PUSHIME TË TJERA

1) Në rast martese ose vdekjeje të bashkëshortit, paraardhësve ose pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, punëmarrësi përfiton 5 ditë pushimi ditor të paguar.

2) Në rast sëmundjeje të rëndë të paraardhësve ose pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, e vërtetuar me raport mjekësor, punëmarrësi përfiton jo më shumë se 10 ditë pushimi të papaguar.

PAGA MINIMALE

1) Paga nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

KOHËZGJATJA E KONTRATËS SË PUNËS

  1. Kontrata e punës lidhet:

a. për një kohëzgjatje të pacaktuar;

b. për një kohëzgjatje të caktuar.

2) Si rregull, kontrata e punës lidhet për një periudhë të pacaktuar. Lidhja e kontratës së punës për një periudhë të caktuar duhet të justifikohet me arsye objektive, që lidhen me natyrën e përkohshme të detyrës, në të cilën punëmarrësi do të punësohet. Nëse kohëzgjatja nuk përcaktohet me saktësi nga palët gjatë lidhjes së kontratës, ajo trajtohet si kontratë me periudhë të pacaktuar.

PROÇEDURA E ZGJIDHJES SË KONTRATËS SË PUNËS NGA PUNËDHËNËSI

1) Pas kohës së marrjes në provë, kur punëdhënësi mendon të zgjidhë kontratën e punës, ai duhet të njoftojë me shkrim punëmarrësin të paktën 72 orë para takimit dhe të bisedoj me të.

2) Punëdhënësi, gjatë kësaj bisede, i parashtron punëmarrësit arsyet e vendimit të parashikuar për t’u marrë dhe i jep atij mundësi për t’u shprehur.

3) Zgjidhja njoftohet me shkrim, brenda një afati nga 48 orë deri në një javë pas takimit.

4) Kjo procedurë zbatohet edhe në rastet e zgjidhjes së menjëhershme të kontratës.

5) Punëdhënësi, që nuk respekton procedurën e përcaktuar në këtë nen, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim prej dy muajsh pagë, që i shtohet dëmshpërblimeve të tjera të mundshme. Zgjidhja e kontratës në kundërshtim me këtë dispozitë mbetet e vlefshme.
5/1. I takon punëdhënësit të vërtetojë që procedura e përcaktuar nga ky nen është respektuar.

6) Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastet e pushimeve kolektive nga puna.

MBROJTJA E PERSONALITETIT

1)Punëdhënësi respekton dhe mbron në raportet e punës personalitetin e punëmarrësit.

2) Ai duhet të parandalojë çdo qëndrim që cenon dinjitetin e punëmarrësit.

3) Punëdhënësi ndalohet të kryejë çdo veprim që përbën shqetësim seksual karshi punëmarrësit dhe nuk lejon kryerjen e veprimeve të tilla nga punëmarrësit e tjerë. Me shqetësim seksual kuptohet çdo shqetësim që dëmton në mënyrë të dukshme gjendjen psikologjike të punëmarrësit për shkak të seksit.

DETYRIMI

Punëdhënësi, gjatë marrëdhënieve të punës, nuk duhet të mbledhë informata lidhur me punëmarrësit, përveç rasteve, kur këto informata lidhen me aftësitë profesionale të punëmarrësve ose janë të nevojshme për zbatimin e kontratës.

REGJISTRI

1) Punëdhënësi mban regjistrin e punëmarrësve të punësuar në ndërmarrje.

2) Përmbajtja e regjistrit caktohet nga dispozitat e këtij Kodi dhe me vendim të Këshillit të Ministrave.

SIGURIMI DHE MBROJTJA E SHËNDETIT

1) Punëdhënësi për të parandaluar aksidentet dhe sëmundjet profesionale duhet të përcaktojë qartë rregullat e sigurimit teknik.

2) Punëdhënësi, duhet të paguajë diferencën midis dëmit dhe shpërblimit që merr punëmarrësi nga sigurimet shoqërore, kur aksidenti ose sëmundja profesionale është pasojë e fajësisë së rëndë të punëdhënësit.

3) Kur punëdhënësi nuk ka regjistruar punëmarrësin në sigurimet shoqërore, ai duhet të përballojë të gjitha shpenzimet që ka bërë punëmarrësi si rezultat i aksidentit ose sëmundjes profesionale, si dhe të gjitha dëmet si pasojë e mosregjistrimit.

MASA TË PËRGJITHSHME

1) Punëdhënësi detyrohet të kujdeset për higjienën e vendeve të punës. Punëdhënësi pasi konsultohet me punëmarrësit, duhet të marrë masat e nevojshme mbrojtëse kundër rreziqeve të veçanta që paraqesin substancat dhe agjentët helmues, makinat, transporti i peshave të rënda, ndotja e ajrit, zhurmat dhe dridhjet, si dhe rreziqeve në disa degë të ekonomisë, si ndërtim, xhenio civile, miniera dhe industri kimike. Punëdhënësi duhet të vendosë sinjale të dallueshme qartë në çdo vend pune, që paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e punëmarrësve.

2) Kur punimet paraqesin rreziqe të veçanta, punëdhënësi duhet të organizojë vizita mjekësore për marrjen në punë dhe gjatë saj, në mënyrë periodike me shpenzimet e tij.

3) Masat e veçanta të sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

PAJISJE INDIVIDUALE

1) Kur masat e mbrojtjes kolektive janë të pamjaftueshme për të mbrojtur punëmarrësit, punëdhënësi duhet të vërë në dispozicion të punëmarrësve, pa pagesë nga ana e tyre, pajisje individuale mbrojtëse për mbrojtjen nga rreziqet në punë.

2) Pajisjet duhet të provohen dhe të pastrohen para se t’i jepen punëmarrësit. Ato duhet të jenë në gjendje të mirë të përdorshme në çdo kohë dhe të vendosura në vende të mbrojtura nga pluhuri dhe ndotësit e tjerë.

PIJET

Punëdhënësi duhet të vërë në dispozicion të punëmarrësve ujë të pijshëm, të paktën 6 litra në ditë për person.

USHQIMI

Punëdhënësi vë në dispozicion të punëmarrësve lokal për ngrënie me kushte higjienike të pranueshme, kur kjo justifikohet nga numri i punëmarrësve, largësia e vendit të punës, nga vendbanimi ose mënyra e organizimit të punës. 21. REGJISTRI Punëdhënësit janë të detyruar të mbajnë regjistrat e pagave dhe të derdhjes së kontributeve të aktualizuara çdo muaj për të gjithë punëmarrësit, të cilët punojnë për ta dhe ta paraqesin këtë regjistër sa herë do të kërkohet nga inspektorët e punës. Punëdhënësit duhet të mbajnë një regjistër, ku të shënohet për çdo punëmarrës data e fillimit të punës, kohëzgjatja e pushimit që i takon, datat në të cilat janë marrë pushimet dhe pagën e dhënë për pushimet vjetore të paguara.

KUALIFIKIMI I PUNËMARRËSVE. MARRJA E MASAVE MBROJTËSE

1) Punëdhënësi duhet të informojë punëmarrësit mbi rreziqet që lidhen me punën dhe duhet t’i kualifikojë punëmarrësit për respektimin e kërkesave në fushën e shëndetit, sigurimit dhe higjienës.

2) Kualifikimi dhe informimi i parashikuar në paragrafin e mësipërm bëhen gjatë marrjes në punë dhe përsëriten sipas nevojës, veçanërisht në rast të ndryshimit të kushteve të punës.

3) Punëdhënësi duhet t’u shpjegojë punëmarrësve të ekspozuar ndaj rreziqeve domosdoshmërinë e zbatimit të masave të sigurimit teknik dhe higjienës.

DETYRIME TË PËRGJITHSHME TË PUNËDHËNËSIT PËR SIGURIMIN E MBROJTJES SË PUNËMARRËSVE NË TË GJITHA ASPEKTET, QË TW MERREN MASAT E NEVOJSHME NËPËRMJET

a) parandalimit të rreziqeve për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale;

b) informimit dhe formimit profesional të punëmarrësve e të përfaqësuesve të tyre;

c) organizimit të mbrojtjes kolektive dhe individuale; ç) sigurimit të organizimit të vendit të punës e të mjeteve të nevojshme.

2. Punëdhënësi kujdeset për përditësimin e masave të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duke marrë parasysh ndryshimet e rrethanave, për përmirësimin e situatave ekzistuese.

3. Punëdhënësi zbaton masat e parashikuara në shkronjën “a” të pikës 1 të këtij neni, në bazë të parimeve të përgjithshme të parandalimit, si:

a) shmangien e rreziqeve;

b) vlerësimin e rreziqeve, të cilat nuk mund të shmangen;

c) luftën ndaj rrezikut që në burim;

ç) përshtatjen e procesit të punës me punëmarrësin, veçanërisht për sa i përket konceptimit të vendit të punës, zgjedhjes së pajisjeve të punës, si dhe metodave të punës e të prodhimit, me qëllim që të zbusë, në mënyrë të veçantë, punën njëtrajtësisht të përsëritshme dhe punën e normuar e të zvogëlojë efektet e tyre mbi shëndetin;

d) përshtatjen e procesit të punës me zhvillimin e teknologjive;

dh) zëvendësimin e asaj që është e rrezikshme me atë që nuk është e rrezikshme, ose me atë që është më pak e rrezikshme;

e) ndërmarrjen e masave parandaluese, gjithëpërfshirëse dhe koherente, të cilat mbulojnë teknologjinë, organizimin e punës, kushtet e punës, marrëdhëniet sociale dhe ndikimin e faktorëve, që lidhen me mjedisin e punës;

ë) dhënien e përparësisë për masat e mbrojtjes kolektive, në raport me ato të mbrojtjes individuale;

f) dhënien e udhëzimeve të duhura punëmarrësve.

4. Punëdhënësi, pa cënuar dispozitat e tjera të këtij ligji, duke pasur parasysh natyrën e veprimtarive të ndërmarrjes/institucionit, vlerëson rreziqet për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve, përfshirë përzgjedhjen e pajisjeve, të substancave ose preparateve kimike dhe mënyrën e rregullimit të vendeve të punës, në përputhje me masat e duhura mbrojtëse.

5. Pas kryerjes së vlerësimit të përcaktuar në pikën 4 të këtij neni dhe nëse është e nevojshme, punëdhënësit duhet:
a) të garantojnë një nivel më të mirë të mbrojtjes së sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve;
b) të integrohen në tërësinë veprimtarive të ndërmarrjes e të institucionit, si dhe në të gjitha nivelet hierarkike;
c) të marrin parasysh aftësitë e punëmarrësit në fushën e shëndetit e të sigurisë për çdo detyrë që i caktohet;
ç) të zhvillojnë këshillime me punëmarrësit dhe me përfaqësuesit e tyre, me objekt planifikimin e futjen e teknologjive të reja, duke vënë në dukje pasojat e tyre për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve, pasoja të cilat lidhen me përzgjedhjen e pajisjeve, rregullimin e kushteve të punës dhe ndikimin e kushteve të mjedisit;
d) të marrin masat e duhura, me qëllim që vetëm punëmarrësit, të cilët kanë marrë udhëzime të përshtatshme, të futen në zonat me rrezik të madh dhe specifik.

6. Në rastin kur punëmarrësit e shumë ndërmarrjeve përdorin të njëjtin vend pune, punëdhënësit duhet:

a) të bashkëpunojnë për zbatimin e dispozitave për sigurinë, higjienën dhe shëndetin, duke pasur parasysh natyrën e veprimtarisë së punës;
b) të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre, me qëllim mbrojtjen dhe parandalimin e rreziqeve profesionale, duke caktuar një koordinator për sigurinë dhe shëndetin;
c) të shkëmbejnë reciprokisht informacione për këto rreziqe, për të cilat të vënë në dijeni punëmarrësit përkatës ose përfaqësuesit e tyre.

7.Masat që marrin punëdhënësit për sigurinë, higjienën dhe shëndetin në punë nuk kanë efekt financiar për punëmarrësit.

Comments

Popular Posts